Rikonstruksion rrjetit elektrik në Berat, OSSH hap garën
Drejtoria Rajonale e OSSH Berat ka hapur procedurën e prokurimit për rikonstruksionin e rrjetit elektrik, një investim me vlerë rreth 200 milionë lekë që përfshin ndërtimin e një fideri të ri dhe rehabilitimin e kabinave elektrike.
Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti synon përmirësimin e furnizimit me energji elektrike, duke garantuar një shërbim më cilësor, të pandërprerë dhe më të sigurt.
Referuar relacionit teknik, aktualisht zona furnizohet nga Fideri nr.9/6 kV i Nënstacionit Plasmas, një linjë e ndërtuar dekada më parë, e cila shtrihet në një territor të gjerë dhe furnizon fshatrat Kashtëbardhë, Qerret i Ri, Qerret i Vjetër, Biçakaj, Kadiaj, Jeta e Re, Kosovë e Vogël, Barbullinjë, Sejmenas, Koçaj, Fiershegan, Thanë, Cukas, Çinar dhe zona të tjera.
Sipas analizës së OSSH-së, rrjeti aktual paraqet performancë të dobët për shkak të amortizimit të linjave dhe pajisjeve. Humbjet e energjisë elektrike në këtë fider arrijnë në rreth 25%, ndërsa gjatë vitit janë regjistruar dhjetëra ndërprerje të furnizimit. Dokumenti thekson se rrjeti i tensionit të ulët është ndërtuar kryesisht në vitet '70 dhe shumë pajisje jashtë standardeve teknike.
Gjendja problematike konstatohet edhe në kabinat e transformacionit, ku janë evidentuar dëmtime në muraturë, mungesë hidroizolimi, amortizim i pajisjeve komutuese dhe mbrojtëse, si edhe defekte në panelet e tensionit të ulët.
Sipas relacionit teknik, përveç humbjeve të energjisë dhe cilësisë së dobët të furnizimit, rrjeti aktual përbën edhe rrezik për sigurinë e banorëve, pasi linjat kalojnë pranë ose mbi banesa dhe krijojnë mundësi për ndërhyrje të paligjshme në rrjet. Në dokument theksohet gjithashtu se kërkesa për energji elektrike në këtë zonë është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Për këtë arsye është planifikuar ndërtimi i një fideri të ri 20 kV, i cili do të lehtësojë ngarkesën e linjës aktuale 6 kV dhe do të mundësojë kalimin e pjesës më të madhe të kabinave në nivelin 20 kV. Projekti parashikon gjithashtu rikonstruksionin e plotë të rrjetit të tensionit të ulët, zëvendësimin e pajisjeve të amortizuara dhe përmirësimin e parametrave të furnizimit.
Me këtë projekt synohet ulja e humbjeve teknike, reduktimi i ndërprerjeve, përmirësimi i nivelit të tensionit, rritja e sigurisë së rrjetit dhe garantimi i furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për familjet dhe bizneset e zonës. Investimi është pjesë e strategjisë së OSSH për modernizimin e rrjetit shpërndarës dhe reduktimin e humbjeve teknike.